Palos teshat e dollapit që të jem i kujdesshëm për veten dhe t’i ndihmoj nënës

Materialet që nevojiten: Teshat e fëmijës suaj.

Zhvillimi i aktivitetit: Filloni sot ditën me shumë përqafime dhe dashuri, e po ashtu shpjegoni fëmijës suaj që sot ai/ajo do të jetë ndihmësi më i rëndësishëm në shtëpi. Secili anëtar i shtëpisë sot do t’i palosë teshat e veta dhe do të rregulloje dollapin e vet. Që të jemi të kujdesshëm dhe të dobishëm, fillimisht duhet të ndihmojmë në shtëpi, prandaj fillojmë ditën me palosjen e teshave.

Vendosni disa tesha të thjeshta para fëmijës suaj, pantallona, bluza apo edhe çorape dhe shall në mënyrë qe fëmija t’i palosë vetë dhe me aq njohuri sa ka. Mbusheni një shportë me tesha të papalosura dhe kërkoni që fëmija t’ju ndihmojë duke i palosur teshat e veta. Ju inkurajojmë që mos t’i jepni ndihmë të drejtpërdrejtë, ju mjafton vetëm ta motivoni me fjalë duke i treguar që ju besoni se fëmija mund t’i palosë ato vetë, ashtu siç di, nuk ka rëndësi aspak sa mirë apo jo mirë i palos. Më pas fotografoni teshat e palosura dhe tregoni familjarëve, shokëve dhe shoqeve se sa i vyeshëm është fëmija juaj. Kjo do të nxisë zhvillimin e vetëbesimit dhe vetëvleresimit tek fëmija.