Trego dhe thuaj

Materialet e nevojshme: Për aktivitetin e sotëm mund të përdorni objekte të ndryshme në shtëpi.

Në aktivitetin e sotëm do t’i tregoni fëmijës objekte të ndryshme, ndërsa fëmija duhet të tregoj se si mund të jetë i dobishëm me to.

Tregoni mbulesën e tavolinës – fëmija duhet të tregojë se si mund të ndihmojë në shtrimin e tavolinës dhe kërkoni që fëmija të mësojë se si shtrohet tavolina.

Tregoni një vazo me lule – fëmija duhet të tregojë se si duhet të kujdeset për lulen.

Tregoni një shtrat – fëmija duhet të tregojë se si kujdeset për shtratin e vet.

Në shtëpi i tregoni fëmijës çdo gjë që ju mendoni se duhet të kujdeset për të.

Ndërkohë përgëzojeni fëmijën kur përgjigjet saktë. Nëse fëmija nuk e ka shumë të qartë se çfarë duhet të bëjë me objektin që ia keni treguar, atëherë ndihmojeni ju si prind të krijojë ide të qarta.

Në fund të aktivitetit, fëmija mund të vizatojë një punim ku i përfshin ato që ka treguar gjatë lojës së sotme.