Lisi i dëshirave

Materialet dhe mjetet: Kapëse rrobash dhe letër.
Zhvillimi i aktivitetit: Të gjithë kemi dëshira, por fëmijët kanë më së shumti. Kërkesat e tyre janë shumë të mëdha dhe të shpeshta. Të fillojmë t’u tregojmë fëmijëve tanë që këto dëshira sot do t’i vendosim tek lisi i dëshirave dhe çdo javë do ta hapim nga një dëshirë dhe do ta shikojmë se a mund ta plotësojmë. Duke e pasur parasysh që fëmijët nuk shkruajnë dhe lexojnë në këtë moshë, ne do t’u themi atyre të vizatojnë dëshirën e tyre. Nëse dëshira jonë është të kemi një top, ta vizatojmë topin, ta vizatojmë veturën lodër apo çfarëdo që është dëshira. Mësoni fëmijët që dëshirat mund të jenë nga më të ndryshmet, si p.sh. shkuarja te daja, shkuarja te tezja apo edhe përqafimi i gjyshes dhe gjyshit. Dëshirat nuk janë gjithmonë vetëm blerja e gjërave, andaj t’i mësojmë fëmijët që këto janë vlerat tona familjare. Nëse keni dëshirë, mund të bëni dëshira edhe ju si familje dhe me ndihmën e kapëseve në letra t’i vendosni në lisin e dëshirave.