Ti japim botës ngjyra me duart tona

Materialet dhe mjetet: Ngjyra (të kaltër dhe të gjelbër), një letër e bardhë.

Zhvillimi i aktivitetit: Për të zhvilluar këtë aktivitet filloni duke ia shpjeguar fëmijës suaj që sot do të punoni bashkë një formë të botës me shenja të duarve të tij/saj. Tregoni fëmijës që këto duar janë për të gjithë fëmijët e botës për të qenë të gjithë bashkë dorë për dore. Preni një letër në formë të rrumbullakët, duke përdorur formën e rrumbullakët që e keni prerë, ngjyrat i vendosni në një enë apo letër që fëmija ta ketë më të lehtë të ngjyrosë dorën e vet (nëse nuk keni ngjyra të ujit apo tempera, përdorni lirshëm pak keçap me ujë dhe formoni ngjyrën e kuqe). Ju mund të bëheni pjesë e aktivitetit bashkë me fëmijën tuaj, ku mund t’i thoni që jemi ne ata të cilët vendosim se çfarë ngjyra mund t’i japim botës, prandaj ne duhet të kujdesemi që t’i japim ngjyrat të cilat janë më të mira për botën. Bota ka nevojë për bar dhe gjethe prandaj e vendosim ngjyrën e gjelbër, dhe bota ka nevojë për ujë prandaj edhe e ngjyrosim ngjyrën e kaltër.

Pasi keni përfunduar ngjyrosjen e tokës, lejoni që fëmija juaj të shprehë një mesazh falënderues  për botën, duke e incizuar këtë mesazh dhe duke e postuar pse jo edhe në rrjete sociale.