Llojet e materialeve

Materialet dhe mjetet: Sende shtëpiake (mjete kuzhine: lugë metali dhe druri, shishe qelqi dhe plastike etj.)

Zhvillimi i aktivitetit: Merren sende apo enë kuzhine të ndryshme në shtëpi nga materialet e plastikës, qelqit, drurit, metalit dhe grumbullohen në një vend të caktuar ku do të zhvillohet aktiviteti, p.sh. mbi ndonjë tavolinë. Me katër penj të ndryshëm formohen disa rrathë në të cilët do të vendosen sendet apo enët e ndryshme nga materialet e ndryshme. Prindi apo kujdestari merr një send apo enë në dorë dhe e pyet fëmijën se çfarë është. Duke mbajtur në dorë sendin për të cilin është pyetur fëmija, merr edhe një send tjetër nga një material tjetër dhe pyet: po kjo çfarë është? Cila është më e lehtë dhe cila është më e rëndë? Nga çfarë materiali përbëhen? Pasi të pyetet për të gjitha gjërat e grumbulluara për aktivitet, kërkohet t’i vendosë në rrathët e përgatitur me penj. Cilat nga këto sende apo enë thyhen, ndryshken apo kalben? Çfarë duhet të bëjmë me to kur vendosim të mos i përdorim më? etj.

Merren disa kuti dhe mbështillen me letra me ngjyra duke vendosur mbi to disa fotografi për llojet e materialeve, p.sh. qelq, plastikë, letër . Në to vendosen lodra të cilat janë nga këto lloje materialesh.