Rezultati i pritur:  Fëmija jep ide se si mund të dilet nga një situatë pa u lënduar apo pa bërë rrëmujë.

Materialet dhe mjetet: letër kartoni, disk, laps, letra, ngjitës, fotografi me veprime (apo vizatime) etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën se si do të vepronte po t’ia merrte ndonjë fëmijë tjetër lodrën nga dora? Po ta qëllonte me shpullë? Po ta fyente? Po t’ia shkarraviste librin apo vizatimin? etj.  Mbani shënime për çdo problem dhe zgjidhjet e tij.

Në madhësinë e një disku vizatohet një rreth në letrën e bardhë duke e ndarë në pjesë aq sa keni menduar për zgjidhjet e mundshme të problemeve, p.sh. si duhet vepruar kur na tallin? (me injorim), kur na e prishin lojën (të lutem, mos e prish!), kur nuk ia dalim vetë (kërkojmë ndihmën e një të rrituri) etj. Letra  vendoset me ngjitës mbi disk. Në pjesët e ndara vizatohen apo merren fotografi për situatat e menduara. Në mes të diskut vendoset një gozhdë (thumb) apo edhe laps, anash diskut vendoset një shenjë ku, pas rrotullimit, do të ndalet tek shenja e cila më pas “lexohet nga fëmija” p.sh., shenja “STOP”, fëmija tregon shenjën dhe po ashtu tregon se në cilat situata do ta përdorë këtë fjalë.