Ku fle, ku rri, ku ha

Aktivitetet e sotme do ta ndihmojnë fëmijën që t’i kuptojë më mirë funksionet të cilat i ka secili ambient në shtëpi dhe rregullat që lidhen me to.

Së pari shëtisni bashkë me fëmijën nëpër shtëpinë ose banesën tuaj dhe pyeteni se ku janë, si quhet ai ambient, çfarë ka në të, çfarë zakonisht bëjnë në atë dhomë apo në atë ambient, sa kohë qëndrojnë aty, a u pëlqen apo jo, etj.

Më pas, ju prindër i përgatisni disa foto apo vizatime në të cilat tregohen veprimet e fëmijëve tuaj apo veprimet tuaja përgjatë rutinave ditore.

Vendosini fotot ose vizatimet përmbys mbi tavolinë.

Fëmija e zgjedh njërën prej tyre dhe duhet të tregojë:

  • Çfarë veprimi është?
  • Në cilin ambient të shtëpisë gjendet?
  • Çfarë mund të bëjmë në atë ambient?
  • Çfarë nuk mund të bëjmë në atë ambient? etj.

Pyetjet vlejnë edhe për objektet e ndryshme:

  • Ku qëndrojnë zakonisht?
  • Ku duhet të qëndrojnë?
  • Çfarë mund dhe nuk mund/nuk duhet të bëjmë me këto objekte? etj.

Përgjatë përgjigjeve të fëmijëve, stimulojini që edhe të veprojnë, d.m.th. ta bëjnë veprimin që duhet.