Kavanozi i të mirave 

Ky mund të jetë projekti i fëmijës tuaj nga dita e premte deri në të hënën. Së bashku me të e merrni një kavanoz dhe e zbukuroni sipas dëshirës. Mund të vendosni foton e fëmijës, por edhe ndonjë zbukurim me lule apo me gjethe. Ky kavanoz duhet të vendoset në një vend të dukshëm, dhe fëmija duhet të fusë brenda kavanozit nga një copë letër për çdo veprim ku është treguar i/e mirë. Ia shpjegoni fëmijës se të qenurit pjesë e një familjeje ose e ndonjë grupi do të thotë që njerëzit ta ndihmojnë njëri-tjetrin. Fëmijët ndajnë ose shkëmbejnë mënyra se si i ndihmojnë ata familjet e tyre.

Diskutoni se çfarë do të ndodhte nëse askush nuk do të bënte asgjë rreth shtëpisë, gatimit, larjes së enëve apo rrobave, ose pastrimit të dyshemesë. Fëmijët duhet ta kuptojnë që secili anëtar i familjes ka përgjegjësi për t’u kujdesur për shtëpinë e tij/saj.

Fëmija mund ta vizatojë veprimin që e ka bërë ose të shkruajë për të me ndihmën e prindit në një copë letër. Fëmija i mbledh për fundjavë të gjitha gjërat e mira që i bën, dhe ditën e hënë mund t’u tregojë pjesëtarëve të familjes se çfarë gjërash të mira ka bërë gjatë fundjavës.