Kafshët e rrugës – miqtë e mi
Materialet dhe mjetet: Ushqimi i mbetur në shtëpi.
Zhvillimi i aktivitetit: Çdo ditë, në shtëpitë tona mund të mbesin disa ushqime që nuk i përfundojmë e gjithë familja. Nuk duhet t’i hedhim ushqimet që i hamë, por t’i mësojmë fëmijët që ta përdorim ushqimin e mbetur për kafshët e rrugëve që kanë nevojë për ushqim. Bisedoni për ushqimet e mbetura në shtëpi në ditën e sotme dhe së bashku me fëmijën tuaj vendosni në një qese ushqimin e mbetur, dhe diku në lagje lini gojën e hapur të qeses që të vijnë kafshët e rrugëve e të ushqehen me ushqimin tuaj. Nëse i mësojmë fëmijët qysh në moshë të hershme që të kujdesen për kafshët, do të mbjellim dhembshurinë tek ta, e cila është vetia më e mirë e personalitetit. Mësoni fëmijët tuaj që gjithmonë para derës ta vendosin edhe një pjatë me ujë, që kafshët të kenë ujë në çdo stinë, e kështu i mësoni që të kujdesen për të tjerët.