Globi me qese

Materialet dhe mjetet: Qese me ngjyra të ndryshme.

Zhvillimi i aktivitetit: Secili nga ne kemi qese të cilat i ruajmë në shtëpi për gjëra të ndryshme. Kësaj radhe t’i përdorim për të formuar një glob së bashku me fëmijën. Filloni bisedoni me fëmijën tuaj duke i treguar një foto të tokës nga telefoni dhe tregoni që pjesët me të gjelbër janë bari, malet dhe toka, kurse pjesët e kaltra janë deti të cilën e duan shumë fëmijët për të notuar. Thoni fëmijës: eja së bashku t’i marrim qeset që i kemi në shtëpi, t’i gjejmë ngjyrat që na duhen për botën, të kaltër dhe të gjelbër, apo çfarë të dëshirosh ti.

Modeloni me një karton apo letër formën e tokës dhe lejoni fëmijën tuaj të vazhdojë aktivitetin ashtu si ka dëshirë t’i bashkojë ngjyrat e qeses. Ju mjafton juve vetëm të asistoni me ngjitës me gërshërë atëherë kur fëmija ju kërkon ndihmë. Nëse e vëreni që fëmija juaj është shumë i varur nga ju, duke mos i besuar vetes që mund ta bëjë vetë aktivitetin, jepini kurajë duke i thënë: provo ti njëherë, unë jam këtu për të ndihmuar ty, mundesh edhe ti, bravo. Stimulimi gjatë lojës dhe aktiviteteve është i domosdoshëm që të rrisim fëmijë me vetëbesim dhe vetëvlerësim të lartë.