Eksperimenti i mikrobeve
Materialet dhe mjetet: ujë, piper i zi, sapun, një enë qelqi.
Zhvillimi i aktivitetit: Ju sot bisedoni me fëmijën për rëndësinë e higjienës për shëndetin, dhe me eksperimentin që do ta realizoni bashkë me fëmijën tuaj do ta bindni fëmijën që të kuptojë se sa i rëndësishëm është pastrimi i duarve për shëndetin. E merrni një pjatë qelqi të thellë dhe në të vendosni ujë dhe piper të zi. Afër pjatës e merrni edhe sapunin e lëngët dhe i tregoni fëmijës që piperi i zi simbolizon mikrobet. Kërkoni nga fëmija juaj të fusë njërën dorë në pjatën me piper dhe ta largojë nga uji për të shikuar se si janë ngjitur “mikrobet” në duar, pastaj ta bëjë dorën me sapun dhe sërish ta fusë në ujin me “mikrobe” dhe të shikojë se si largohen “mikrobet” nga sapuni.
Ju mund edhe t’i vizatoni duart e fëmijës dhe pastaj të kërkoni nga fëmija që t’i vizatojë mikrobet ashtu si di.