Vallëzimi i tokës rreth diellit
Materialet dhe mjetet: tepsi e rrumbullakët, top i vogël gome ose (mollë, portokall, mandarinë), plastelinë e kuqe, e verdhë ose ngjyrë portokalli, ose letër me njërën nga këto tri ngjyra, dhe ngjitës ose edhe letër e kaltër për mbështjelljen e frutës në mungesë të topit.
Zhvillimi i aktivitetit: Po afron edhe koha kur do të përcjellim një vit të vjetër e do të presim një vit të ri. Për ta kuptuar ndërrimin e moteve më lehtë, tregoni fëmijës suaj mënyrën më të thjeshtë të mundshme të rrotullimit të tokës rreth diellit. Këtë rrotullim mund ta përshkruani si vallëzim të tokës rreth diellit. Ofroni fëmijës një tepsi të rrumbullaket dhe një plastelinë me ngjyrë të kuqe, të verdhë ose ngjyrë portokalli që do të simbolizojë diellin, e nëse nuk keni plastelinë, preni një letër me njërën nga ngjyrat e lartpërmendura në formë të rrumbullaket dhe jepjani fëmijës që ta ngjitë në mes të tepsisë, dhe pastaj ta vendosë edhe topin ose, nëse nuk keni top, shfrytëzoni një frutë të rrumbullakët nga ato të përmendura më lart, të mbështjellë me letër të kaltër për të simbolizuar tokën. Në fillim ia demonstroni fëmijës vallëzimin e tokës rreth diellit (si në modelin në foto) e pastaj ia jepni fëmijës që ta bëjë këtë lojë. Mund t’ia jepni fëmijës edhe një letër ku fëmija pastaj do të mundohet të vizatojë ashtu si mundet vallëzimin e tokës rreth diellit.