Unë dëgjoj

Materialet dhe mjetet: nuk nevojiten materiale specifike. Prindi përdor gjësende që i ka në shtëpi.

Zhvillimi i aktivitetit: Fillimisht duhet të dilni jashtë me fëmijën dhe t’i kërkoni që t’i dëgjojë me vëmendje të gjitha zhurmat. Ndërkohë që fëmija dëgjon tinguj, zëra apo zhurma, kërkoni edhe që t’i imitojë ato por edhe ju provoni t’i imitoni në mënyrë që fëmija të ndihet mirë gjatë imitimit. Pyeteni fëmijën se si po di t’i imitojë zërat e ndryshëm. Me çka po dëgjon? Pasi të ktheheni në shtëpi luajeni një lojë simpatike me fëmijën tuaj. Fëmija duhet ta kthejë shpinën dhe ju duhet të bëni tinguj të ndryshëm të cilët fëmija duhet t’i marrë me mend se çfarë janë. Kur fëmija nuk ia qëllon, kthejeni në humor duke i thënë fëmijës të prekë me gjuhë hundën. Për këtë aktivitet duhet të përdorni mjete të ndryshme. Nëse fëmija nuk e gjen përmes tingujve, pa kthyer kokën i prek me dorë materialet, pastaj përsëri bëhet tingulli dhe fëmija duhet ta gjejë. Ju mund ta ndihmoni edhe duke ia treguar funksionin e objekteve apo çfarëdo që mendoni se mund ta ndihmojë fëmijën.