Udhëtimi imagjinar

Materialet dhe mjetet: Një çantë dhe teshat e fëmijës që keni në shtëpi

Zhvillimi i aktivitetit: Planifikoni me fëmijën tuaj një udhëtim imagjinar, i cili të ketë qëllim ta mësojë fëmijën të përgatisë teshat për pushime (qoftë udhëtim për vizitë tek gjyshja, daja apo halla, apo udhëtim në një vend me borë).

Detyra kryesore e fëmijës është të palosë teshat e tij një nga një dhe të mësohet si të pavarësohet për vetëkujdes.

Në çfarë kohe çfarë tesha na duhen? Filloni me këtë bisedë me fëmijën tuaj, duke kërkuar përgjigje për çdo stinë.

Merreni një çantë të vogël dhe filloni udhëtimin imagjinar, duke e pyetur fëmijën: Nëse sot do të shkonim në një mal me borë, çfarë tesha duhet të marrim për ty me vete? Lejoni fëmijën që në dollap të zgjedhë teshat vetë dhe ndihmojeni të bëjë dallimin në mes teshave të trasha dhe atyre të holla. Pyeteni: Nëse sot do të shkonim tek gjyshja dhe brenda në shtëpi është shumë nxehtë, çfarë tesha duhet të marrim? Nxisni fëmijën në këtë pjesë, të mësohet në shtëpi e të mos ketë vazhdimisht punë të gatshme që prindi i kryen për të.

Flisni më pas për gjërat që do të bënit në vizitën tuaj, për njerëzit që do të takoni dhe gjërat që do të shihni.