Mbjellja e fushës

Materialet dhe mjetet: Brum me ngjyrë të kaftë (mund të përdorni kafe ose kakao për t’ia dhënë ngjyrën brumit), fara të ndryshme si fasule, misër, bizele, apo copa më të mëdha të ushqimeve të ndryshme të cilat mund të lënë gjurmë në brum.

Zhvillimi i aktivitetit: Bisedoni me fëmijën që në fshatra ka shumë tokë në të cilën mund të mbillen fruta e perime. Tregojini që sot ju do të luani me brum dhe të pretendoni se brumi është toka dhe në të të mbillni farëra të ndryshme. Jepini fëmijës tuaj një sasi të vogël të brumit me ngjyrë kafeje dhe farërat apo pjesë frutash dhe perimesh të ndryshme. Duke demonstruar, tregoni fëmijës se si të shtrijë brumin në  një sipërfaqe të rrafshët dhe nxiteni fëmijën ta bëjë të njëjtën gjë. Pastaj “mbillni” një fushë me fruta dhe / ose perime. Fëmijët e vegjël natyrisht se do t’i shtypin farërat apo pjesët e frutave/perimeve në brum dhe do t’i largojnë ato përsëri. Flisni me fëmijën në lidhje me gjurmën që secili artikull ushqimor bën në brum. Është me gunga? A janë gunga të mëdha apo të vogla? A janë gjurmët e njëjta apo të ndryshme?, etj. Lejojeni fëmijën të luajë sipas dëshirës dhe imagjinatës së tij me materialet e përgatitura dhe mos ndërhyni për të “korrigjuar” lojën e tij.