Rrotullohem bashkë me lodrat

Sot krijojeni një hapësirë të madhe në shtëpi/banesë. E shtroni një batanije të butë në dysheme dhe fëmijët do të rrotullohen nëpër të.

– Tregojini fëmijës se duhet të shkojë nga fillimi i hapësirës deri në fund vetëm duke u rrotulluar. Le ta provojë këtë disa herë.

– Fëmija mund t’i rrotullojë edhe objektet në shtëpi: jastëkët, stolin e vogël, një tas të madh plastik, një tenxhere apo çfarëdo objekti tjetër.

– Ju mund t’ia ofroni fëmijës një shishe të madhe plastike ose një top të madhësisë mesatare dhe ai/ajo të rrotullohet bashkë me të nëpër dysheme.

– Me fëmijët tre vjeçarë ju mund të provoni edhe ta mbështillni atë me një çarçaf dhe ai/ajo të provojë të rrotullohet.

Me bebet sot mund ta bëni këtë lojë: të shtrirë në shpinë, bebes mund t’ia lidhni 2-3  balona në këmbët ose duart e tij/saj. Dhe kaq do të mjaftojë që ai/ajo të kënaqet e të lëvizë edhe më shumë. Lejojeni edhe të rrotullohet  bashkë me balonet, nëse ai/ajo mund ta bëjë këtë.