Peshku dhe tigani

Lojë argëtuese e përshtatshme në çdo rrethanë, në ambient brenda apo jashtë shtëpisë.

Vizatohet një rreth në tokë që do të quhet “tigani”. Nga një fletë letre apo gazete, priten me gërshërë shumë peshq prej letre dhe ata vendosen larg nga rrethi në një pjesë të drejtë të tokës, pa tepih apo pa bari.  Fëmijët duhet të arrijnë ta fusin peshkun e tyre brenda në rreth vetëm duke i fryrë dhe pa i prekur me dorë.

Një variant i kësaj loje me dy fëmijë apo prindi dhe fëmija: shpërndani peshqit për secilin lojtar në numër të barabartë. Ai që fut në rreth brenda një kohe të caktuar më shumë peshq dhe pa i prekur me dorë është fituesi.