Ngjyrat nga kuzhina

Materialet dhe mjetet: enë të vogla plastike, ujë, kakao, piper i kuq, piper i zi, vegetë, manaferra (boronica), jogurt apo ndonjë lloj tjetër që mund të lëshojë ngjyrë kur përzihet me ujë.

Aktiviteti: Sot mund të keni pak rrëmujë në kuzhinë, por njëkohësisht edhe kënaqësi kur e shikoni fëmijën tuaj duke u kënaqur me ngjyrat që do t’i përftojë nga përzierja e ujit me erëza apo përbërës ushqimorë. Ofroni fëmijës disa enë të vogla dhe disa përbërës ushqimorë nga kuzhina, si: kakao, salcë domatesh, piper të kuq, piper të zi, jogurt, boronica apo manaferra, dhe kërkoni nga fëmija që te secila enë të qesë pak ujë dhe pastaj mbi ujë të qesë nga një lugë apo dy, varësisht sa i jep ngjyrë ujit përbërësi që do t’i qesë. Fëmija do të qesë në një enë p.sh. një lugë piper të kuq dhe do ta përziejë me lugë derisa uji të marrë ngjyrë, e pastaj vazhdon njëjtë edhe me përbërësit tjerë. Gjithashtu, fëmija e vëren edhe cili përbërës po përzihet më lehtë dhe më shpejtë me ujin, e cili më vështirë e më ngadalë, dhe në fund i ofroni fëmijës letër dhe brushe (shpuzë) dhe kërkoni nga ai/ajo të luajë me ngjyra. Gjate përzierjes vazhdimisht i bëni pyetje fëmijës, si: Çka është kjo? Çfarë ngjyre ka? Me çka e ke përzier? Po tani çka u bë?, etj.

Në fund të aktivitetit kërkoni nga fëmija që t’i mbledhë enët me ngjyra dhe t’i sjellë te lavamani si dhe ta pastrojë tavolinën ku ka punuar. Punimin duhet ta lë të thahet dhe të shihni se si do te duket pasi të thahet.