Llamba magjike

Materialet dhe mjetet: Një llambë e çfarëdo lloji që keni në shtëpi.

Zhvillimi i aktivitetit: Me fëmijën tuaj sot do të luani një lojë magjike që do ta bëjë ditën e tij/saj shumë të lumtur dhe shumë atraktive. Thoni fëmijës suaj: ne kemi një llambë magjike në shtëpinë tonë dhe me këtë llambë ne sot do të kërkojmë që vetëm gjërat e mira dhe sjelljet e mira të ndodhin në shtëpi. Në fillim, mami fërkon llambën dhe i tregon fëmijës: unë do ta fërkoj llambën dhe do të kërkoj nga ti të ma bësh një mirësi. Filloni ju në fillim duke bërë kërkesën e parë, duke thënë: Llamba ime magjike, sot unë po kërkoj nga ti që vajza ime/djali im të ma sjellë një gotë ujë. Stimuloni fëmijën që t’ua sjellë ujin dhe pastaj ia kaloni radhën atij/asaj. Luani lojën me radhë duke pritur edhe mirësitë që kërkon fëmija juaj nga ju. Nëse jeni më shumë anëtarë në shtëpi, inkuadroni edhe ata në lojën tuaj të mirësisë, që është një lojë shumë e dobishme dhe i mëson fëmijët tanë për ta kuptuar rëndësinë e mirësisë, dhe se mirësia mbjell mirësi në familje dhe në shoqëri.