Kokoshkat e gjyshes  

Materialet dhe mjetet: 50 g misër për kokoshka, 250 g gjalpë, 250 g sheqer, 2 lugë gjelle kakao, 2 enë për zierje dhe 1 pjatë.
Zhvillimi i aktivitetit: Në pasditet e gjata të dimrit, në një ambient të ngrohtë familjar, kokoshkat janë ide e shkëlqyer për të shoqëruar një rrëfim të ndonjë përralle apo shikimin e ndonjë filmi për fëmijë. Sot nipi/mbesa do t’i ndihmojë gjyshes që t’i përgatisë kokoshkat me çokollatë. Për përgatitjen e kokoshkave në këtë mënyrë të vjetër që gjyshet sigurisht do ta kujtojnë nga fëmijëria e tyre, ju nevojiten masat e lartpërmendura. Lejojeni nipin/mbesën që ta zbrazë gjysmën e sasisë me misër në enën me kapak ku do t’i fërgoni kokoshkat. Pastaj gjyshja do t’u hedhë pak gjalpë dhe t’i vendosë në zjarr deri sa të hapen. Njëjtë veproni edhe me pjesën e mbetur të misrit, ndërsa në një enë tjetër, gjyshja, me ndihmën e nipit/mbesës, do t’i vendosë gjalpin, sheqerin dhe kakaon pluhur për t’u shkrirë. Pastaj, kokoshkat e përgatitura i zhysni në përzierjen me çokollatë dhe bashkë me nipin/mbesën i vendosni në një pjatë të thellë dhe uluni për t’ua rrëfyer ndonjë përrallë apo për të shikuar film për fëmijë varësisht se çfarë dëshiron nipi apo mbesa juaj.