Festojmë me tinguj
Materialet dhe mjetet: kavanoz apo shishe xhami me kapak, materiale të ndryshme si oriz, pulla, gurë, fasule, etj.
Zhvillimi i aktivitetit: Inkurajoni fëmijën t’ju ndihmojë të mbushni disa kavanoz apo shishe të qelqit me materiale të ndryshme, p.sh një kavanoz mbusheni me oriz, një tjetër me gurë të vegjël, tjetrin me pulla apo rruaza, shkopinj, etj. Mbyllni kavanozat mirë me kapak dhe sigurohuni që fëmija juaj të mos mund t’i hapë. Mund të lini një kavanoz zbrazët vetëm për argëtim. Jepini fëmijës mundësi të luajë me kavanozat duke i shkundur ata për të bërë zhurmë me secilin kavanoz. Flisni me fëmijën për tingujt e ndryshëm që secili kavanoz bënë.
Cili kavanoz bënë tingullin më të lartë? Cili kavanoz ka tingull më të butë? Sa më shumë që i flisni fëmijës tuaj aq më shumë zhvillohet truri i tij. Këndimi është një mënyrë tjetër për ta përdorur gjuhën. Prandaj provoni të këndoni një këngë të pëlqyer nga fëmija dhe shoqërojeni atë me tingujt që bëni me kavanoz. Lejojeni fëmijën të argëtohet me kavanoz dhe të luajë sipas dëshirës së tij.