Thurja e gërshetit

Materialet dhe mjetet: Penj të trashë, shirita kordelesh etj., letër kartoni (copë dërrase), gërshërë, shirit ngjitës etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Merren penj të ndryshëm që janë në dispozicion. Mund të merren edhe kordele të ndryshme. Penjtë mund të jenë të ngjyrës së njëjtë, por nëse ka edhe penj me ngjyra të tjera do të ishte më tërheqëse për fëmijën. Tre penj maten që të jenë të barabartë dhe të gjatë aq sa do fëmija të jetë gërsheti për dorën e tij/saj. Të tre penjtë ngjiten me shirit ngjitës për ndonjë pjesë kartoni, dërrase apo ndonjë objekt tjetër që është i përshtatshëm për thurjen e gërshetit. Prindi apo kujdestari e fillon së pari thurjen e gërshetit duke përshkruar procesin dhe më pas gërsheti thuret nga fëmija. Gërsheti i thurur lidhet në të dy skajet dhe vendoset në dorën e fëmijës. Sipas dëshirës së fëmijës thuren edhe gërsheta të tjera për familjarët apo shoqërinë e tij/saj duke përdorur edhe materiale të tjera si kordele apo edhe duke vargëzuar rruaza.