Dheu në fletën time

Materialet dhe mjetet: Fletë, ngjitës si dhe dheu që keni në oborr apo tek vazot me lule nëse jetoni në banesë.

Zhvillimi i aktivitetit: Ndër shkronjat e para, fëmijët e mësojnë shkronjën e parë të emrit të tyre. Me shumë qejf e tregojnë gjithkund shkronjën e tyre, kudo që e shohin. Kësaj radhe shkronjën mund ta bëjmë me dhe, duke e modeluar në mënyrë më të veçantë. Shkruani në një karton apo letër shkronjën e fëmijës suaj dhe jepni fëmijës ngjitësin që mbi shkronjë të vendosë ngjitësin e lëngët. Fëmija juaj vazhdon të derdhë dheun mbi ngjitës që të formësohet shkronja e tij/saj me dhe, e më pas kur shkundet fleta dheu mbetet vetëm te ngjitësi ku është modeluar shkronja. Fëmija mund të provojë edhe me shkronja të tjera.