Çka rritet nën e çka mbi dhe?
Materialet dhe mjetet: një kuti e këpucëve, qese najloni e zezë e mbeturinave, letra me ngjyra, fije peri, gërshërë, ngjitës.
Zhvillimi i aktivitetit: Për ta njoftuar fëmijën se ku rriten dhe si rriten llojet e ndryshme të perimeve, ju sot, nëse keni kopsht të mbjellë me perime, merreni fëmijën dhe dilni në kopsht për të mbledhur ndonjë karotë, qepë, domate apo spec. Nëse nuk keni kopsht, ju mund të punoni një minikopsht i cili do t’i ndihmojë fëmijës tuaj që të kuptojë më lehtë se çka rritet nën dhe çka mbi dhe. Merreni një kuti të këpucëve dhe mbështilleni me qese najloni të zezë dhe e ngjitni nën kuti me ngjitës trake. Në kapakun e kutisë ju vizatoni dy-tri domate, qepë, patate, karotë dhe speca. I preni me gërshërë dhe kërkoni nga fëmija që t’i ngjyrosë apo t’i ngjitni letra me ngjyra (sikur në modelin e dhënë në fotografi).
Pastaj me letër të gjelbër i punoni bishtat e perimeve, ndërsa me fije peri rrënjët e perimeve, dhe pasi ta keni përfunduar kopshtin ju e preni qesen në pjesën e sipërme në disa vende, aq sa fëmija të mund t’i fusë perimet që rriten nën dhe ato mbi dhe. Kur i bëni pyetje fëmijës se ku rritet qepa, ai/ajo duhet ta fusë qepën brenda në kuti, apo kur e pyesni se ku rriten specat dhe domatet, ai/ajo duhet të dijë që duhet ta fusë vetëm rrënjën në kuti ndërsa specat apo domatet qëndrojnë mbi, dhe kështu të vazhdojë loja derisa ta kuptojë se çka rritet nën dhe çka mbi dhe.