Zemra surprize

Materialet e nevojshme: dy fleta të bardha ose gazete apo reviste (nëse keni letër kuzhine apo alumini edhe më mirë), një shishe e zbrazur për spërkatje (një shishe e zbrazur e ujit për pastrimin e xhamave ose ndonjë tjetër që e keni në shtëpi), pecetë e thatë dhe ngjyrë që është përgatitur në kushte shtëpie apo ngjyrues të tjerë që mund të keni (ngjyra uji apo markerë me ngjyra).

Zhvillimi i aktivitetit: Ky aktivitet është mirë të zhvillohet edhe me fëmijë apo anëtare të familjes, pasi e bën edhe më të mirë atmosferën. Secili duhet të vizatojë disa zemra në letrën e bardhë. Secili pjesëmarrës në lojë vendos se sa zemra do t’i ngjyrosë me ngjyrë. Për këtë duhet të keni kujdes që të vizatoni duke qëndruar shpinë me shpinë, që të mos shihet sa keni vizatuar me ngjyra. Pasi ka përfunduar tharja e vizatimit, i mbuloni me një pecetë të thatë. Këmbeni vizatimet me njëri-tjetrin dhe secili duhet të qëllojë se sa zemra do të shfaqen pasi të laget peceta. Me lagjen e pecetës me spërkatës do të shfaqen vetëm zemrat me ngjyrë. Kush e qëllon merr një shpërblim që e vendosni së bashku në fillim të lojës, kush nuk e qëllon dënohet që të bëjë një imitim, të provojë diçka që e dini se nuk i pëlqen etj.

Ky aktivitet bëhet edhe më interesant nëse përdoren dy ose tri ngjyra, kështu kërkohet të gjendet se sa janë me ngjyrën e kuqe, sa të verdha etj.

Aktiviteti është shumë atraktiv për fëmijët e moshës 4-5 pasi ata shohin se si ngjyrat shpërndahen në ujë, duke krijuar konceptet e para të fizikës.