Bufi
Materialet dhe mjetet: letër e bardhë, letra me ngjyra, gërshërë, ngjitës, gjethe, thupra.
Organizimi i aktivitetit: Shumë shpendë jetojnë në drunj dhe i bëjnë foletë e tyre në degët e drunjve duke mbledhur thupra të vogla dhe barishte. Bufi është njëri nga këta shpendë që jeton në dru dhe e ka veçanti gjuetinë gjatë natës sepse natën e ka shikimin më të mirë. Bufi nuk shtegton por qëndron në pyll gjatë të gjitha stinëve. Zëri karakteristik i tij (hu hu, hu hu) është interesant dhe fëmijët shumë shpesh e imitojnë atë. Ju do të kërkoni nga fëmija që ta punojë bufin me gjethe ashtu si di dhe mundet. Në fillim dilni bashkë me fëmijën të mblidhni disa gjethe dhe pasi të ktheheni do ta preni një rreth të madh prej letre për trupin e bufit dhe pastaj kërkoni nga fëmija që t’i ngjitë gjethet në rrethin që e keni prerë, disa gjethe te krahët, një te koka, te këmbët, ndërsa sytë e mëdhenj ia preni prej letrës (sipas modelit të dhënë në fotografi). Gjithashtu, ia mundësoni fëmijës që ta paraqesë edhe degën e drurit ku do të qëndrojë bufi, të punuar nga letra apo ndonjë thupër e gjetur bashkë me gjethet.
Kërkoni nga fëmija që gjatë punës edhe ta imitoje zërin e bufit dhe bëni pyetje se ku jeton dhe a shtegton apo qëndron gjithnjë në pyll.