Bora shkrihet, toka e pi ujin, akulli copëtohet, ne e pimë 

Materialet dhe mjetet: mikser kuzhine, copa akulli, fruta

Zhvillimi i aktivitetit: Prindër të dashur, fëmijët e moshës 3-4 vjeçare kanë nevojë për informata konkrete dhe çdo gjë me ta duhet të konkretizohet në mënyrë që ta kuptojnë me mirë çdo fenomen që ndodh në natyrë. 

Edhe pse ju i thoni që bora kur shkrihet bëhet ujë dhe ujin e pi toka, ata kanë nevojë ta shohin, ta ndjenjë dhe shumë më mirë nëse e shijojnë. 

Lëngun me fruta që e bëni zakonisht në shtëpi duke e përzier me mikserin tuaj, kësaj radhe përdoreni për ta parë shkrirjen e akullit dhe për ta shijuar, sepse kur ajo shkrihet mund ta pinë njerëzit sikur toka që e pi borën kur shkrihet.

Mikseri që përdorni në kuzhinë për prerje të qepëve dhe perimeve tjera, kësaj radhe mund të përdoret edhe për të copëtuar akullin. Vendosni në të copa të akullit dhe shpjegoni fëmijës suaj se bora përbehet prej akullit, dhe thoni: “Eja edhe ne të bëjmë borë së bashku me mikserin tonë”. Grirësja e copëton akullin në thërrime të vogla pa e shkrirë, duke e shndërruar atë në borë. Shpjegoni fëmijës suaj që kështu krijohet edhe bora në natyrë. 

Tregoni fëmijës që uji fillimisht ngrihet nga ajri shumë i ftohtë dhe me magjinë e reve në qiell copëtohet në thërrime dhe bie në tokë si borë. 

Thoni fëmijës: “Ne e mbushëm ujin, e vendosëm në ngrirëse të frigoriferit dhe u bë akull, eja tash ta shndërrojmë në borë së bashku!”. 

Po si e pi toka ujin e borës kur shkrihet? E pi njëjtë sikur ne, shiko tani. Akullit të copëtuar i shtojmë disa pemë dhe shkrihet duke u bërë lëng dhe i gatshëm për ta pirë ne.

Është mirë që gjatë procesit fëmija vet t’i pastrojë frutat, ju t’i preni dhe t’i vendosin në mikser bashkë me copat e akullit për të bërë lëngun.