Brusha dhe pasta e dhëmbëve (eksperiment)
Materialet dhe mjetet: dy vezë të ziera fort, dy ene qelqi, pije Coca-Cola, brushë për dhëmbë dhe pastë dhëmbësh, letër me ngjyrë, gurë të vegjël të bardhe ose fasule, ngjitës.
Zhvillimi i aktivitetit: Po sikur dhëmbët ashtu edhe lëvozhga e vezës e ka sipërfaqen e jashtme të fortë për ta mbrojtur atë që ka në brendësi, për këtë arsye sot do ta bëni këtë eksperiment për t’i treguar fëmijës se çfarë ndodh me atë mbrojtëse të jashtme kur i ekspozohet pijeve të ëmbla si Coca-Cola apo lëngjeve të ndryshme. I merrni dy vezë të ziera fort dhe ia jepni fëmijës që njërën ta vendosë në enën me Coca-Cola dhe tjetrën në ujë. Këto duhet të qëndrojnë ashtu 24 orë dhe të nesërmen bashkë me fëmijën do t’i nxirrni vezët për të parë se çfarë ka ndodhur. Veza në enën me ujë nuk do të ndryshojë, ndërsa ajo në Coca-Cola do të bëhet me njolla. Pastaj ofroni fëmijës pastën dhe brushën dhe kërkoni nga ai/ajo që ta pastrojë vezën me pastë dhe brushë. Nga ky eksperiment fëmija do të kuptojë se sa e rëndësishme është larja e dhëmbëve dhe evitimi i lëngjeve dhe ushqimeve që përmbajnë sheqer.
Dhe në ndërkohë që fëmija duhet të presë 24 orë për ta parë se çfarë po ndodh me vezët, ju ndihmoni fëmijën që ta punojë gojën me dhëmbë. Merreni një letër me ngjyrë, nëse keni të kuqe, dhe paloseni në gjysmë, preni këndet e letrës qe t’i jepni formën e gojës. Pastaj kërkoni nga fëmija që t’i ngjisë gurët e bardhë apo fasulet në letër që të simbolizojë gojën me dhëmbë.
Pasi të jetë tharë ngjitësi, jepini fëmijës tuaj një brushë të dhëmbëve dhe kërkoni nga fëmija që ta ushtrojë larjen e dhëmbëve.