Ngjyrat e ushqimit
Zhvillimi i aktivitetit: Urojmë që deri në moshën 6 muaj, foshnja juaj të ushqehet me qumësht gjiri. Në këto raste, gjatë ushqyerjes mos luani me foshnjën tuaj, lejojeni të ushqehet aq sa ka nevojë e më pas e ngrini në krahë që të ketë mundësi të nxjerrë ajrin e thithur bashkë me qumështin.
Pas kësaj moshe, gradualisht foshnja prezantohet me ushqimet e forta, në fillim në formë të puresë e më pas në copëza të vogla.
Nxiteni fëmijën tuaj të ushqehet vetë, duke ia bërë edhe më interesant ushqimin përmes llojllojshmërisë dhe ngjyrave natyrore që ushqimet kanë. Lejojeni të përdorë dorën dhe dy gishta për ta kapur ushqimin dhe vendosini në pjatë aq ushqim sa mendoni se fëmija mund ta hajë. Më mirë të ketë më pak në pjatë se sa të mbetet. Më pas lejojeni t’ju ndihmojë për ta pastruar tavolinën/vendin e tij/saj.