Supë me perime
Materialet dhe mjetet: enë për zierje, patate, domate, karota, qepë, lulelakër, brokoli, bizele, hudhër.
Zhvillimi i aktivitetit: Vjeshta na dhuron shumë begati e ndër këto begati janë edhe perimet. Ato janë shumë të bukura dhe të shëndetshme, dhe me to mund të përgatisim sallata, gjella, turshi dhe supa të shijshme. Sot lejojeni fëmijën tuaj që t’ju ndihmojë të përgatisni një supë të begatshme me vitamina duke i përdorur perimet qe i keni në shtëpi, si ato të përmendura më lart. Në fillim kërkoni nga fëmija që t’i pastrojë duart dhe ia vendosni në një enë ato perime që i keni si dhe kërkoni nga fëmija që t’i pastrojë. Pataten, qepën dhe dy thelbinj hudhre i qëroni dhe ia jepni fëmijës që t’i vendosë në enën për zierje, pastaj në dërrasë për prerje copëtoni perimet tjera dhe kërkoni nga fëmija që t’i hedhë në enën për zierje, pastaj t’i hedhë ujë, dhe kripë aq sa i thoni, ndërsa ju e vendosni supën të zihet. Pas 15 minutave, që është koha e mjaftueshme për zierjen e perimeve, e largoni nga zjarri dhe nëse keni copëtues (blender) i bluani perimet në mënyrë që supa të bëhet e dendur. Nëse nuk e keni copëtuesin, me një kulluese i nxirrni nga uji dhe i shtypni pak me një pirun. I vendosni në zjarr edhe për një minutë apo dy dhe i zbrazni në pjata.
Ju do ta shijoni së bashku këtë supë të begatshme me plot vitamina dhe do ta lavdëroni fëmijën tuaj për kontributin e dhënë.