Vetëm me babanë

Materialet dhe mjetet: kovë me lodra lego, kovë me figura gjeometrike ose lodra të imëta dhe ndonjë enë plastike, ndonjë frutë i preferuar i fëmijës (ose ndonjë trofe tjetër sipas dëshirës).

Aktiviteti: Sot tregoni fëmijës fotografi tuajat me fëmijën dhe kujtoni momente të bukura së bashku e pse jo edhe ndonjë moment qesharak që do ta bënte fëmijën të qeshë dhe të argëtohet. Po ashtu, pyetni fëmijën se cila lojë i pëlqen ta luani së bashku, qoftë lojë me lodra, futboll, vallëzim, ndërtim me lego, apo mësojani ndonjë lojë që ju e keni luajtur kur ishit fëmijë.
Ju sugjerojmë një lojë të lehtë dhe simpatike që mund ta luani me fëmijën.
Merrni dy kova të lodrave lego apo çfarëdo lodra tjera të imëta dhe i renditni në dy rende, një rend ju, e njërin fëmija, deri te një cak që do ta caktoni me një frutë që fëmija juaj e pëlqen dhe pastaj do të filloni mbledhjen e lodrave, kush më shpejt deri te caku ose pikësynimi, që ta fitoni trofeun (frutën) si në modelin e dhënë në foto. Mundohuni që kjo kohë e kaluar me fëmijën tuaj të jetë sa më cilësore dhe argëtuese. Gjithashtu këtë herë ju e keni radhën e gatimit, dhe varësisht prej aftësive që i keni momentalisht në kuzhinë, sot përgatisni ushqimin për fëmijën tuaj. Në rastin më të thjeshtë mund të zieni makarona sepse edhe ashtu janë të preferuarat e çdo fëmije, apo ja plotësoni dëshirën që fëmija juaj e kërkon.
Në të dy rastet e keni një asistent/-e të cilit/cilës mund t’i kërkoni ndihmë në mënyrë që ta aktivizoni edhe fëmijën.