Varkat lundrojnë

Sot fillojeni ditën duke luajtur me fëmijën jashtë në natyrë. Lejojeni të angazhohet e të vrapojë dhe të kënaqet.

Kur të vendosni të ktheheni në shtëpi, loja vazhdon me krijimin e varkave dhe lëshimin e tyre për lundrim. Fëmijës do t’i duhen disa kapakë të shisheve me ngjyra, një copë sfungjer, një gotë plastike,  pjesa e fundit e shisheve të plastikës etj. Do t’i duhen edhe disa spica të dhëmbëve dhe disa trekëndësha të vegjël për të bërë flamurin.

Ju punoni varkën e parë dhe kërkoni nga fëmija që të ndjekë hapat që ju i bëtë. Më pas lejojeni të provojë të krijojë sa më tepër varka që ka dëshirë me mjetet që ka.

Pasi i ka përfunduar ofroni një tas me ujë dhe fëmija le t’i vendosë varkat në të. Nëse jetoni pranë një rrjedhe uji apo lumi, ose jeni me pushime në det, shkoni së bashku me fëmijën afër tij dhe lejojeni t’i lëshojë varkat aty. Ju siguroni që të jeni afër fëmijës.

Fëmija mundet t’i fryjë varkat për lundrim, apo mund t’i fryjë edhe me një pip.

Bisedoni së bashku për varkat, anijet e ku do të donte fëmija të udhëtojë me to gjatë verës. Tregojini ndonjë storie nga udhëtimet tuaja ose lexojini një përrallë.