Ushqehem vet
Zhvillimi i aktivitetit: Përfshirja e fëmijëve në punë të përshtatshme për moshën e tyre është shumë e rëndësishme pasi u jep atyre ndjenjën e pavarësisë dhe aftësimit. Përdorni mënyra kreative për ta ndihmuar fëmijën që të kryejë një punë të caktuar në mënyrë të pavarur, ose me sa më pak përfshirje nga ana juaj. Sot mësojeni fëmijën ta shërbejë vetë ushqimin e tij.
Në një letër, tabaka ose në tavolinën e fëmijës vizatoni një rreth të madh ku duhet të vendoset pjata, një rreth të vogël ku duhet të vendoset gota, si dhe vendet për lugë dhe pirun. Fillimisht, ofroni enët e caktuara të zbrazëta që fëmija ta gjejë vendin e secilës enë. Në kohën e ushqimit vendosni para fëmijës letrën e vizatuar dhe kërkoni fëmijës që ta shërbejë ushqimin për vete duke i vendosur enët në vendet përkatëse. Lejojeni fëmijën të ushqehet vetë. Pasi ta ketë përfunduar ushqimin, kërkoni nga ai/ajo që t’i kthejë vetë enët në kuzhinë. Bëjeni rutinë përfshirjen e fëmijës në shërbimin e ushqimit për veten, e pastaj edhe largimin e pjatave kur të ketë mbaruar.