Unë do të bëhem polic trafiku

Materialet dhe mjetet: Letra, ngjyra dhe gërshërë për t’i përgatitur materialet si në foto, makina lodër, e nëse nuk keni mund t’i vizatoni dhe t’i prisni si në foton më poshtë ose të përdorni topin apo gomën (çfarëdo qoftë në vend të makinës).

Zhvillimi i aktivitetit: Zakonisht kur pyesim fëmijët tanë, e sidomos djemtë, se çka dëshirojnë të bëhen kur të rriten, ata shprehen që dëshirojnë të bëhen policë, kështu që këtë dëshirë ne sot do t’ua realizojmë. Së pari tregoni fëmijës suaj se çfarë roli ka polici, duke i thënë se polici është që të na ndihmojë dhe mbrojë si dhe të vë rregulla në komunikacion.

Në këtë aktivitet, fëmija juaj do të marrë rolin e policit, ai do të mbajë në dorë semaforin si në foton më poshtë, të cilin mund ta krijoni me fletë të thjeshta të cilat i ngjyrosni dhe i prisni në të njëjtën mënyrë si në foto. Me disa fletë të bardha të cilat mund t’i premë, mund të imagjinojmë që ato janë rrugët dhe mbi to t’i vendosim makinat, ose edhe mund të zgjasim palloma të thjeshta. Prindërit këtu duhet t’i ngasin makinave dhe fëmijët t’i ndalojnë në rolin e policit. Le t’ua mësojmë fëmijëve se për çfarë arsye polici mund të na ndalojë, p.sh. për tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe pse jo për mosvendosje të maskës, shkaku i situatës në të cilën jemi.