Shumçka me gjethe
Lejojeni fëmijën të vishet vetë dhe dilni së bashku në natyrë. Pasi të luajë, kërkoni fëmijës që t’i mbledhë disa gjethe me forma dhe ngjyra të ndryshme dhe disa shkopinj të vegjël.
Në shtëpi/banesë, vendosni në tavolinë ose edhe në dysheme gjethet e mbledhura, shkopinjtë, një fije peri, fletë të bardha, fletë me figura të ndryshme, pak plastelinë prej brumi, etj.
Në fillim, kërkoni që fëmija të krijojë një varëse me gjethe. Le ta përdorë një shkop sikur gjilpërë dhe le t’i vendosë gjethet në pe ashtu siç di vetë. Në këtë lojë nuk ka rëndësi si vendosen gjethet, mjafton që me to të krijohet një varëse.
Më pas tregojini fëmijës foto të ndryshme dhe nxiteni që t’i vendosë apo t’i ngjesë gjethet ashtu siç ai/ajo mendon apo imagjinon. Tregojini se mund edhe t’i presë apo këpusë format e gjetheve ashtu siç dëshiron.
Përgëzojeni për angazhimin dhe punën që po e bën apo për atë që po krijon.
Vendosini bashkë punimet e fëmijës në një vend të dukshëm në dhomën ku rrini.