Rosa

Materialet dhe mjetet: letër e bardhë dhe ngjyra tempera
Organizimi i aktivitetit: Sot bisedoni me fëmijën për shpezët shtegtarë dhe informojeni fëmijën tuaj se ata nuk mund të qëndrojnë në mot të ftohtë andaj në vjeshtën e hershme fluturojnë larg, shumë larg në vendet e ngrohta, ku gjejnë më shumë ushqim. Ata e bëjnë gjithmonë të njëjtën rrugë për t’u kthyer sërish në foletë e tyre në pranverë. Tregoni fëmijës që disa nga shpezët që shtegtojnë janë: lejleku, dallëndyshja, rosa e egër, pata e egër, mjellma etj.  

Sot do t’i ndihmoni fëmijës që ta pikturojë rosën me dorën e vet si në modelin e dhënë në fotografi. Ju do ta lyeni dorën e fëmijës me ngjyrën qe e zgjedhë fëmija juaj e pastaj e vendosni dorën e fëmijës mbi letrën e bardhë me gishtin e madh të hapur. Te pjesa e gjurmës së gishtit të madh kërkoni që fëmija të formësojë kokën e rosës, sqepin, syrin dhe këmbët ashtu si di vetë dhe si mundet. Gjatë punës i bëni pyetje fëmijës, si për shembull: A u pëlqen rosave moti i ftohtë? A mund të gjejnë ushqim kur bie borë? Po atje në vendet e ngrohta, a gjejnë ushqim? Duke i bërë pyetje ju ia nxitni kureshtjen fëmijës tuaj.