Zogu në degë
Materialet dhe mjetet: Letër, gërshërë, laps dhe zgjyra, kartoni i mbetur nga letra e tualetit.
Zhvillimi i aktivitetit: Zogu është shpendi më i shpeshtë që na viziton neve, kështu që edhe fëmijët e kanë më shumë për zemër, andaj pse mos ta kenë atë në dhomën e tyre. Nevojitet edhe ndihma e prindit për këtë aktivitet. Mundohuni të vizatoni një zog dhe ta prisni vetëm atë nga fleta ose nëse keni mundësi ta prisni nga ndonjë libër që nuk e përdorni më, pastaj ta ngjyrosni atë bashkë me fëmijën.
Me kartonin e mbetur nga letra e tualetit, lejojeni fëmijën ta ngjyrosë me ngjyrë kafe dhe ju flisni me të duke i thënë: ja, ne jemi duke e ngjyrosur degën e pemës, aty ku zogu ndalon dhe pushon kur lodhet nga fluturimi i tij. Me ngjitës bëjeni pjesën e këmbëve të zogut dhe kapeni tek dega e improvizuar me letër tualeti.
Nëse dëshironi ta vendosni në mur apo diku në shtëpi që ta ekspozoni, kapeni me ndonjë lidhëse të thjeshtë dhe vendoseni diku në shtëpi në mënyrë që fëmija t’ju tregojë familjarëve si babit, gjyshit, hallës se çka ka bërë dhe t’ua prezantojë zogun e vet.