Përralla – Zogu që e humbi folenë

Zhvillimi i aktivitetit: Në oborrin e shtëpisë së Lisës, zogjtë tash e sa kohë kanë ndërtuar folenë e tyre dhe çdo fillim pranvere ata strehohen tek foleja derisa koha fillon të ftohet. Ata janë katër zogj dhe janë shumë të bukur. Lisa ka filluar përgatitjet, ka rregulluar folenë e tyre dhe gjithashtu ka vendosur edhe ujin e bukën për ta, në mënyrë që kur ata të vijnë të lodhur nga fluturimi të ushqehen menjëherë. Në mëngjes, Lisa u zgjua shumë e lumtur, me vrap doli jashtë për t’i vizituar zogjtë, por njëri po mungonte. Lisa u shqetësua shumë dhe shkoi tek gjyshja e saj duke i treguar se njëri zog po mungonte, ndërsa gjyshja i tha: mos u shqetëso, ndoshta është ende rrugës duke fluturuar, të presim edhe pak.

Kaluan disa ditë dhe zogu ende s’kishte ardhur, e Lisa shumë e mërzitur dhe duke qarë prapë po kërkon nga gjyshja e saj ndihmë, ndërsa ajo i kërkon që të qetësohet sepse nëse zogjtë e dëgjojnë që po qanë do frikësohen dhe do të largohen edhe të tjerët. Gjyshja i thotë Lisës: zogu me siguri që e ka humbur rrugën për në fole, kështu që ti çdo natë duhet të vendosësh ujë tek dritarja dhe ta këndosh këngën që ti gjithmonë ua ke kënduar zogjve. Lisa e pranon këshillën e gjyshes, dhe çdo natë e çdo mëngjes e vendos ushqimin tek dritarja dhe këndon këngën e preferuar të zogjve. Një mëngjes të bukur gjersa rrezet e diellit kishin ndriçuar dhomën e Lisës, ato nuk po mjaftonin që Lisa të zgjohej nga gjumi i saj, por diçka po kërciste tek dritarja. Ajo u zgjua ngadalë të shikonte se çka po kërciste me atë zhurmë, kur e pa zogun tek dritarja që më në fund gjeti rrugën për tek foleja e tij dhe u bashkua me zogjtë e tjerë, u gëzua shumë dhe me vrap shkoi tek gjyshja për t’ia treguar lajmin e bukur.