Tregimi “Pema ime”

Materialet dhe mjetet: Nuk nevojiten materiale të posaçme.

Zhvillimi i aktivitetit: Tea e vogël kishte vendosur dy duart e saj të vogla në fytyrë dhe po shikonte nga dritarja oborrin e shtëpisë. Aty ishte pema që ajo e kishte mbjellë së bashku me babin e saj një vit më parë. Pema ishte rritur por jo aq sa ajo dëshironte. Përse nuk është bërë e madhe sa pemët e tjera? – tha ajo me vete. Mos është e sëmurë dhe i duhen ilaçe? Ky mendim e brengosi dhe vrapoi tek mami e cila po lexonte një revistë. Mami, përse nuk po rritet më shpejt pema ime, por ka mbetur e vogël, mos është sëmurë? Mami buzëqeshi. Sytë e Teas tregonin shqetësim, prandaj iu afrua dhe duke e përkëdhelur i tha:

– Tea, pema jote është e shëndoshë, nuk është e sëmurë, por i duhet kohë që të rritet.

– Po unë dua që ajo të rritet shpejt, mami.

– E di Tea, por pema dhe bimët kanë nevojë që ne të kujdesemi një kohë më të gjatë që të rriten. Por hajde të të tregoj diçka.

E mori për dore Tean dhe shkuan tek dollapi i saj, aty ku Tea matej çdo vit dhe vinte një shenjë se sa ishte zgjatur.

Shiko Tea – i tha mami. Këtu ti sheh se si je rritur çdo vit, ashtu edhe pema rritet si ti çdo vit.

– Ah, e kuptova mami, ajo po rritet si unë.

– Po Tea, për këtë ti duhet të kujdesesh duke e ujitur e prashitur që ajo të rritet e shëndetshme, ashtu siç ti dëshiron.