Pro dhe kundër
Materialet dhe mjetet: një letër e bardhë e madhe ose një pëlhurë, ngjyra uji. Në mungesë të tyre mund të përdoren ngjyra natyrale që janë përgatitur në aktivitet e mëparshme. Ndërkohë mund të përdoren ngjyra të ndryshme që i keni në shtëpi.
Zhvillimi i aktivitetit: Për këtë aktivitet fëmija do t’i përdorë dy ngjyra të cilat i zgjedh vetë fëmija, njërën ngjyrë e përdor sa herë që pajtohet me atë që është duke i thënë prindi apo kujdestari/-ja ligjor/e, ndërsa ngjyrën tjetër sa herë që shpreh mospajtim. Për këtë ai/ajo vizaton dy duart e veta në një fletë. Njërën dorë e ngjyros më njërën ngjyrë dhe tjetrën me ngjyrën e dytë. I pret me gërshërë dhe ua ngjet nga një shkop ose çfarëdo që ka në shtëpi. Meqë ky aktivitet lidhet me të drejtat e fëmijës, nga prindërit dhe kujdestarët ligjor kërkohet që me gjuhë të thjeshtë të flasin për të drejtat themelore të fëmijës, por për ta bërë atraktive për fëmijën jepni shembuj të shkeljes së të drejtave, p.sh., fëmijët kanë të drejtë të ushqehen rregullisht – prindi mund të thotë të kundërtën – prindërit nuk duhet të kujdesen për ushqimin e fëmijëve. Kur pajtohet ngre dorën me ngjyrën aprovuese dhe kur nuk pajtohet ngre dorën me ngjyrën kundërshtuese.
Për shkak të moshës së fëmijës referojuni të drejtës për lojë, kujdes shëndetësor, kujdes prindëror, barazi dhe mbrojtje. Ndërkohë që përmendni të drejtat kujdesuni që t’i diskutoni dhe përgjegjësitë e fëmijës.