Kafshët e borës

Përralla e gjarpërinjve që ishin shokë të ngushtë

Të dashur prindër, kësaj radhe kemi një përrallë e cila do të luhet nga ju dhe fëmija juaj si teatër në shtëpi. Dy shalle të gjata duke i rrudhosur nga pak i shndërrojmë në gjarpërinj të mirë të cilët jetojnë në shtëpinë tuaj. 

Merreni një shall ju dhe një shall fëmija juaj, filloni të shëtisni nëpër dhoma duke biseduar bashkë, duke i zvarritur shallet si gjarpërinj dhe duke e treguar përrallën. Ndërkohë, fshihni një kuti të këpucëve diku në shtëpi me disa sheqerka apo ndonjë çokollatë dhe lodër, që të gjeni thesarin gjatë luajtjes së përrallës. Po ashtu, në korridor apo në një dhomë tjetër zbrazni në tokë kutinë e lodrave.

Filloni me përrallën: Na ishin njëherë dy shokë gjarpërinj, njëri ishte shumë i qetë dhe po ecte me shumë kujdes nëpër shtëpi, kurse tjetri ishte shumë i shpejtë (në këtë rast, gjarpri që e udhëheq prindi ishte i shpejtë dhe rrëzohej kudo që hipte, modeloni me shallin tuaj gjarprin i cili është aktiv, i pakujdesshëm dhe i shpejtë). 

Gjarpri i shpejtë hipi mbi dollap dhe mbeti aty. I thuhet: “Shoku gjarpër, më ndihmo të lutem se kam ngelur në dollap e s’po mundem të dalë”, dhe gjarpri i qetë vjen me shumë kujdes dhe i ndihmon shokut (nxiteni fëmijën ta përcjellë përrallën dhe me sjellje të bëjë të njëjtën duke ardhur me shall për t’ju shpëtuar). 

Dy shokët gjarpërinj u gëzuan shumë që shpëtuan dhe përqafoheshin e zvarriteshin deri tek dhoma tjetër ku fshihej thesari. Shokët gjarpërinj e kanë për detyrë të gjejnë thesarin e fshehtë në atë dhomë, ku brenda kishte surpriza për ta. Lejojeni fëmijën juaj të mundohet ta gjejë thesarin e fshehur dhe përcilleni atë hap pas hapi. 

Dy shokët gjetën thesarin dhe i hëngrën me kënaqësi gjërat që ishin brenda, por ata kishin edhe shumë aventura tjera, andaj vazhduan shpejt tek korridori ku ishte një kuti e zbrazët dhe lodrat ishin derdhur nëpër tokë. Ata ishin gjarpërinj të kujdesshëm dhe mblodhën të gjitha lodrat në kuti, e më pas vazhduan tek banja. 

Gjarpri i cili ishte më aktiv i tha tjetrit: A të hyjmë të lahemi në këtë kovë këtu? Mbushin kovën me ujë dhe lahen së bashku duke luajtur me ujë dhe kënaqen (futni shallet në ujë dhe lani që të dyja duke e modeluar përrallën dhe, në fund, me tharëse flokësh mundohuni ta terni njëri-tjetrin në mënyrë që loja të bëhet edhe më atraktive).

Përfundoni përrallën duke biseduar e duke pyetur: Cila pjesë ishte më e mirë? Ku u kënaqe më shumë? etj.