Shkopi magjik

Materialet dhe mjetet: fletë të bardha A4, ngjyra, gërshërë, një shkop i thjeshtë.

Zhvillimi i aktivitetit: Shikohen fotografitë e kafshëve dhe gjurmët e këmbëve të tyre. Zgjidhet sipas dëshirës se gjurmët e cilave kafshë do të punohen. Merret fleta e bardhë A4 dhe ndahet në gjysmë. Në njërën gjysmë të fletës vizatohen dy gjurmë të këmbëve dhe në pjesën tjetër të fletës dy gjurmë, d.m.th. në një fletë A4 vizatohen, ngjyrosen dhe priten katër gjurmë të një kafshe. Kështu veprohet edhe me gjurmët e kafshëve të tjera të përzgjedhura.

Pasi të priten, gjurmët vendosen në dysheme, nga dy gjurmë të njëjta.

Luhet loja: Shkopi magjik

Prindi apo kujdestari ngrit shkopin magjik lart dhe thotë, p.sh. “ariu”, dhe fëmija duhet të shkelë në gjurmët e ariut. Prindi apo kujdestari thotë “zogu”, fëmija shkel në gjurmët e zogut. Loja luhet aq sa dëshiron fëmija apo edhe duke shtuar edhe gjurmë të kafshëve të tjera.

Sipas dëshirës, gjurmët e kafshëve mund të punohen me patate, si në figurën e dhënë.