Përralla – Bota pa insekte
Materialet dhe mjetet: Nuk ka materiale të veçanta për këtë aktivitet
Zhvillimi i aktivitetit: Në një ditë të ngrohtë vere, Mara ishte ulur me familjen e saj në kopshtin e tyre, dhe po pinin limonadë. Mara ishte duke e shijuar shumë momentin gjersa disa bleta dhe insekte të tjera filluan ta bezdisnin. Nga shqetësimi që po i shkaktonin, Mara bërtiti: i urrej insektet, do të doja një botë pa to!
Gjyshi i saj ndërhyri me shumë kujdes: por a e di ti Mara se si do të ishte bota pa insekte?
Mara me buzëqeshje ia ktheu: do të ishte shumë qejf, ja tani do ishim duke u kënaqur dhe jo duke na shqetësuar këto insekte.
Gjyshi kapi fletën dhe ngjyrat dhe vizatoi një natyrë dhe iu drejtua Marës: dëshiron që vërtet të shikosh se si do të ishte bota pa këto insekte që janë duke na shqetësuar?
Mara pohoi me kokë…
Gjyshi e afroi Marën dhe ia tregoi vizatimin e një bote shumë të zymtë, pa ngjyra dhe bimë. Mara e shikonte foton dhe nuk mund ta kuptonte e tha: por përse gjysh, unë nuk po kërkoj që të zhduken pemët dhe ngjyrat e botës?
Gjyshi i drejtohet Marës: por duhet ta kuptosh që pjesa më e rëndësishme që pemët, bimët, lulet e çdo gjë tjetër në natyrë të rritet e bukur dhe me ngjyra janë insektet pasi ato janë vetë pjesë e natyrës dhe ndihmojnë në rritjen e tyre.
Prandaj, Mara, nëse ne dëshirojmë një botë pa insekte, dëshirojmë një botë pa natyrë dhe jetë.
Shpejt reagon Mara duke thënë: jo jo gjysh, unë më asnjëherë nuk do t’i urrej insektet, tash e tutje edhe do të kujdesem shumë për to.