Peshkojmë së bashku
Nëse jeni në pushime, mund ta bëni këtë aktivitet bashkë me fëmijët tuaj aty ku jeni, në det ose në lumë apo në liqen.
Ju mund ta bëni këtë aktivitet edhe në shtëpi apo në oborrin e banesës apo lagjes suaj.
Do t’ju duhet të improvizoni një ambient me ujë, i cili mund të bëhet nga një material në ngjyrë të kaltër, ose nga një legen apo shportë me ujë në të cilat, fëmija juaj hedh peshqit lodër që keni në shtëpi dhe çdo gjë tjetër që përmban deti….gurë të vegjël, gjethe, objekte të vogla etj.
Ju mund të përgatisni disa peshq së bashku, mjafton që të prisni në formën e peshkut materialet prej qeses së plastikës me ngjyra dhe t’i hidhni ato në detin, lumin apo liqenin e krijuar.
Më pas, në një shkop të vogël, vendosni një fill të trashë dhe në fund të tij vendosni një letër ngjitëse të bërë si top të vogël.
Fëmija juaj qëndron në buzë të detit/lumit/liqenit dhe përpiqet të peshkojë peshqit me grepin e tij/saj.
Uluni së bashku me fëmijën dhe lejojeni të provojë disa herë e të zërë peshqit. Gjatë kësaj kohe ju mund të bisedoni së bashku për detin, lumin apo liqenin dhe çfarë kanë brenda ata, si është uji te secili prej tyre dhe pse duhet t’i ruajmë.