Në piknik me muzikë
Për të inkurajuar lëvizjen e fëmijëve dhe përdorimin e muskujve të mëdhenj, “përgatituni” për piknik duke kënduar dhe lëvizur.
– Vendosni një shportë pikniku në dhomë, dhe gjërat që mbështollët e çmbështollët dhe punuat dje së bashku, shpërndajini në pjesë të ndryshme të dhomës. Mund të përdorni objekte të vërteta, lodra, apo fotografi nga revistat apo gazetat. Mos harroni edhe një libër me figura ose përrallën e tij/saj të preferuar.
– Përcaktoni rregullat e lojës: Herë ju, e herë fëmija, këndoni derisa ai/ajo sjell materialet në shportën e piknikut. Për shembull:
– Prindi këndon:
Po shkojmë në piknik
Po shkojmë duke kërcyer
A i ke sjellë bananet?
Fëmija shkon të marrë babanet dhe i sjell duke kërcyer me dy këmbë dhe i vendos në shportën e piknikut duke kënduar:
Po shkojmë në piknik
Po shkojmë duke kërcyer
Ja ku janë bananet.
– Për çdo ushqim, fëmija mund të përdorë lëvizje të tjera: duke vrapuar, duke u hedhur, duke vallëzuar, duke ecur në majë të gishtave etj.
– Nëse është e vështirë ta bëni me këngë, atëherë vetëm i thoni me fjalë fëmijës veprimin që duhet ta bëjë për të sjellë objektin në shportën e piknikut. P.sh sille bananen në shportë duke vrapuar, sille ujin në shportë duke ecur në majë të gishtave etj. Këtë mund ta bëni të shoqëruar me muzikë.
– Nëse fëmija është më i vogël, ju thjesht mund të fshihni nëpër dhomë objektet e ndryshme që i pëlqejnë dhe t’i kërkoni fëmijës t’i gjejë ato dhe t’i vendosë në shportë të piknikut.
– Stimuloni fëmijën ta thotë emrin e objektit apo ushqimit. Pyeteni fëmijën se çfarë ndjesie i shkakton objekti në dorë p.sh. i butë, i fortë, i vrazhdë i lëmuar, ose flisni për cilësi të tjera të objekteve apo ushqimeve.