Trupi im flet
Materialet dhe mjetet: nuk ka nevojë për materiale shtesë.
Zhvillimi i aktivitetit: Sot do të zhvilloni një aktivitet me fëmijën, aktivitet i cili e ndihmon atë të vetëdijësohet për gjuhën e trupit të tij/saj. Fillimisht dilni bashkë me fëmijën përpara pasqyrës dhe kërkoni që t’i përshkruajë pjesët e trupit të tij/saj. Pastaj shpjegoni fëmijës që, duke qëndruar përballë pasqyrës, ju do të bëni një gjest i cili lidhet me atë që trupi ynë flet. Kështu fëmija duhet të gjejë se çfarë po thotë trupi. Fillimisht kollituni, dhe pyesni fëmijën çfarë po thotë trupi. Pastaj teshtini, dridhuni sikur keni ftohtë, lemzë, apo hapni gojën sikur ju vjen të flini. Kërkoni që fëmija ta imitojë secilin veprim kërkoni dhe të tregojë se çfarë po thotë trupi. Gjithashtu mund të pyesni se çfarë i ndodh fëmijës kur është shumë nxehtë apo shumë ftohtë. Ky aktivitet është shumë argëtues nëse ju dhe fëmija juaj merrni pjesë duke plotësuar njëri-tjetrin.