Magjia me ngjyra
Aktiviteti i sotëm është një eksperiment magjik me ngjyra. Ajo çka ju duhet në fillim, është një lakër e kuqe, nga e cila përmes një mikseri nxirrni lëngun e lakrës. Ju mund edhe ta zieni për pak minuta lakrën dhe do të keni lëngun e saj.
Hidheni këtë lëng në një shishe plastike dhe ofrojani fëmijës shishen.
Mbi tavolinë tregojini fëmijës që të vendosë tri gota, në të cilat të hedhë:
gota 1 – pak uthull; gota 2 – pak sodë buke; gota 3 – ujë.
Pastaj fëmija nga shishja me lëng lakre, hedh në secilën gotë lëngun e lakrës.
Kërkoni fëmijës t‘ju tregojë çfarë ndodhi me ngjyrën në secilën gotë?
Lejojeni fëmijën edhe të përziejë ngjyrat me njëra-tjetrën dhe të zbulojë ngjyrat që fiton.
Në secilën gotë, fëmija mund të vendosë edhe nga një gjethe lakre, ose një pecetë të bardhë dhe të zbulojë se çfarë ndodh.