Kutia sensorike

Materialet dhe mjetet: kuti, lodra të buta, lodra të drurit, ndonjë frutë apo perime, gjethe, gurë etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Aktiviteti i sotëm do të jetë shumë argëtues për ju dhe fëmijën tuaj. Merreni një kuti dhe prisni nga një rreth në dy anët më të ngushta të kutisë. Rrathët të jenë të prerë paralel njëri-tjetrit që fëmija të mund t’i fusë të dy duart. Pjesa e hapur e kutisë të jetë e kthyer nga ju ndërsa e mbyllura nga fëmija juaj në mënyre që fëmija të mos shikojë. Futni në kuti gjëra të ndryshme të njohura për fëmijën, si p.sh. ndonjë lodër e butë, lodër druri, frutë, perime, gjethe, gurë apo çfarëdo që mendoni që fëmija do ta njohë me anë të prekjes. Pastaj kërkoni nga fëmija që t’i fusë dy duart dhe ta marrë një nga gjërat në kuti, ta prekë dhe të tregojë se çka është, pastaj ta largojë nga kutia dhe të vazhdojë me gjërat tjera deri në të fundit, duke i prekur dhe treguar se çka janë. Në këtë mënyrë fëmija e kupton rëndësinë e të prekurit për njohjen e ambientit që na rrethon. Në fund ju mund të ndërtoni në një vend të shtëpisë këndin sensorik. Një vend në të cilin fëmija ka jastëkë dhe materiale të tjera të buta ku mund të shtrihet dhe të kënaqet duke u gjuajtur në to. Ju mund të argëtoheni së bashku me fëmijën në këtë kënd.