I bëj punët vetë
Zhvillimi i aktivitetit: Fëmijët më së miri mësojnë kur përfshihen direkt në përvoja të ndryshme. Gjatë përfshirjes së fëmijëve në punë të ndryshme të përshtatshme për moshën e fëmijës ofroni fëmijës:
- mundësi për të eksploruar, p.sh gjatë mbjelljes apo ujitjes se luleve, ofroni mundësi për të luajtur me dheun, ujin, etj.
- ofroni liri brenda limiteve, p.sh. vendosni kufizime se çfarë mundet dhe çfarë nuk mundet të bëjë fëmija – mund të luaj me dheun, por jo ta hedhë atë.
- vëzhgojeni fëmijën tuaj – gjatë punës së përbashkët krijohet një mundësi shumë e mirë për ta vëzhguar fëmijën, për të kuptuar çfarë mund të bëjë, në çfarë ka vështirësi, çfarë i pëlqen, etj. Në bazë të kësaj ju mund të planifikoni aktivitete për të zhvilluar shkathtësi të reja apo përforcuar ato ekzistuese.
- krijoni mundësi që fëmija ta kryejë punën me sukses, p.sh. duke përdorur vegla/mjetet me madhësi, lartësi, peshë të përshtatshme për fëmijën. Nëse do t’i ujisni lulet, përdorni një enë me vrima dhe vendosni aq ujë sa i nevojitet bimës.
Sot mund ta angazhoni fëmijën që t’i vendosë kapëset në rrobat që i varni për t’i tharë. Përmes këtij aktiviteti fëmija do t’i ushtrojë muskujt e vegjël të dorës. Ju poashtu mund të kërkoni ndihmë nga fëmija që t’i ndajë rrobat sipas kategorive apo ngjyrave, p.sh. çorapet në një vend, bluzat në një vend, etj.