Breshka

Materialet dhe mjetet: pjatë letre, letra me ngjyra, gërshërë, ngjitës.

Zhvillimi i aktivitetit: Breshka është kafshë e pyllit, është shumë e ngadaltë dhe paqësore, por as ajo nuk e do dimrin dhe në nëntor bie në gjumë. Informojeni fëmijën që me ardhjen e të ftohtit breshka e gjen ndonjë vrimë nën dhe apo nën rrënjët e ndonjë druri për të bërë gjumin dimëror pasi ka ngrënë mjaftueshëm fruta dhe gjethe për të siguruar gjumë të rehatshëm. Ndihmojeni fëmijën që ta punojë breshkën prej letre, priteni pjatën e letrës përgjysmë dhe njëra pjesë do të jetë mburoja e breshkës ndërsa nga pjesa tjetër prisni dy këmbët dhe kokën (si në modelin në foto). Gjithashtu prisni edhe syrin nga letra e zezë. Të gjitha pjesët ia ofroni fëmijës që t’i ngjisë ashtu si di.

Në fund kërkoni nga fëmija që ta imitojë ecjen e ngadaltë të breshkës.